Putin “pa kokë” mund t’i kushtojë rëndë televizionit rus

Pronarët e një televizioni rus “do të ndëshkohen” pasi shfaqën presidentin Vladimir Putin me “kokën e prerë” gjatë transmetimit të mesazhit të tij për ndërrimin e viteve.

Stacioni televiziv me qendër në Kaliningrad fajësoi një defekt teknik për skandalin, ndërsa vetëm gjysma e poshtme e kokës së Putinit dukej ndërsa ai jepte mesazhin e tij më të gjatë të Vitit të Ri nga Kremlini.

Mesazhi i presidentit transmetohet tradicionalisht disa minuta para mesnatës në secilën nga 11 zonat kohore të Rusisë dhe është në të njëjtin nivel me mesazhin e Ditës së Krishtlindjeve të Mbretëreshës në Britani.

Punonjësit në Kaskad TV e kuptuan gabimin dhe ndërprenë transmetimin si në televizion ashtu edhe në internet, duke e zëvendësuar atë me muzikë.

“Problemet me imazhin gjatë transmetimit të fjalimit të Vitit të Ri të Vladimir Putinit u shkaktuan nga një defekt teknik në dhomën e transmetimit. Një hetim i incidentit po vijon. Ata që janë fajtorë do të dënohen. Kaskas Media Group ofron ndjesë të sinqertë për shikuesit.”, u shprehën drejtuesit e medias.

Në deklaratë nuk i kërkohet falje Putinit dhe as nuk specifikohen dënimet që mund të merren për këtë rast.

Mesazhi I Putinit për Vitin e Ri zgjati gjashtë minuta, një rekord për të, por sidoqoftë më i shkurtër se mesazhi i famshëm i paraardhësit të tij Boris Yeltsin në vitin 2000, ku njoftoi se ish-spiuni i KGB-së, Vladimit Putin ishte presidenti i ri rus.