36 autoambulanca i shtohen Urgjencës, Rama: Çfarë hataje do të ishte sikur pandemia ta gjente shëndetësinë në drejtimin e LSI

36 ambulanca 1100x620

36 autoambulanca moderne i janë shtuar flotës së autoambulancave të Urgjencës Kombëtare për përballimin e pandemisë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksuan se ky investim i qeverisë shqiptare finalizon programin e transformimit të flotës së Urgjencës Kombëtare Mjekësore, duke e kthyer në një shërbim të pajisur me standardet më të mira europiane.

“Me 36 autoambulancat e reja moderne, përmbyllet programi i transformimit të flotës sonë të Urgjencës Shëndetësore, nga një inventar karakatinash me katër rrota e pa asgjë brenda, në një fuqi të motorizuar e të pajisur me standardet më të mira europiane, e cila sot ka kapacitetin e plotë në kryerjen e misioneve të saj në territorin e Shqipërisë, 24 orë në 7 ditë të javës. Momenti kur do kalojë kjo flamë e COVD-it do të jetë pastaj shumë më e stabilizuar situata dhe do të rritet edhe më tej shpejtësia e shërbimit”, tha kryeministri Rama.

Sipas tij, do të ishte hata kombëtare sikur pandemia ta kishte gjetur Shqipërinë me katërrrotakët e katërshes së sotme opozitare dhe sidomos me LSI-në në drejtimin e shëndetësisë.

“Imagjinoni vetëm sikur pandemia ta kishte gjetur Shqipërinë me katërrrotakët e katërshes së sotme opozitare dhe sidomos me LSI-në në drejtimin e shëndetësisë, se çfarë hataje kombëtare do të kishte qenë”.

Manastirliu tha se nëpërmjet këtij investimi strategjik është përgjigjja ndaj pandemisë dhe se koha e mbërritjes së autoambulancës në vendngjarje do të ulet edhe më tepër.

“Janë 36 autoambulanca të reja, të mirëpajisura me të gjitha pajisjet jetëshpëtuese. Janë një investim i qeverisë shqiptare, në kuadër të të gjithë investimeve të përgjigjes ndaj pandemisë. Vetëm në dy vitet e fundit flota e autoambulancave është zgjeruar me 80 autoambulanca të reja”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se me shtimin e autoambulancave të reja janë shtuar edhe ekipet në terren.

Ndërkohë, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, u shpreh se autoambulancat e reja janë të pajisura me të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, duke siguruar shërbim si në spitale me ekipe të mirëtrajnuara.