BioNTech kundër shtyrjes së dozës së dytë të vaksinës

pfizer 2 1100x620

Kompania gjermane BioNTech që ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit së bashku me Pfizer deklaroi se nuk kanë të dhëna dhe prova që mbështesin sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës, nëse doza e dytë shtyhet më shumë se tri javë.

BioNTech deklaroi se testet që ata kanë zhvilluar dhe që tregojnë se efikasiteti i vaksinës është 95%, janë të bazuara në dhënien e dy dozave me një diferencë kohore prej tri javësh.

“Vendimet për mënyra alternative të vaksinimit iu përkasin autoriteteve shëndetësore, por ne besojmë se doza e dytë nevojitet për të siguruar mbrojtje maksimale kundër sëmundjes”, deklaroi kompania.

Kjo deklaratë vjen pasi disa vende si Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar kanë deklaruar se do t’i ndajnë dy dozat në një diferencë më të gjatë kohore, në mënyrë që t’iu mundësohet sa më shumë njerëzve që të vaksinohen me dozën e parë.