Denaj reagon ndaj Metës: Presidenti gënjeu, rialokimet bëhen kudo

DENAJ KOSOVA frame 2119 1100x620

Menjëherë pas deklaratës së presidentit Meta për projektet në Vlorë, ku akuzoi qeverinë se ka synuar të transferojë huanë nga projekti për lumin e Vlorës në atë të Vlorë-Orikum, ka reaguar ministrja e Financave, Anila Denaj.

Me anë të një postimi në Twitter, Denaj shkruan se rialokimet e fondeve brenda marrëveshjeve financiare të nënshkruara, janë bërë edhe në të shkuarën, bëhen kudo dhe nuk përbëjnë asnjë përjashtim nga rregulli. Denaj njoftoi se ditën e mërkurë do të japë më shumë detaje.

“Jam shumë e befasuar nga shfaqja e Ilir Metës nga podiumi i Presidentit të Republikës, ku bëri lëmsh Kushtetutën, institucionet dhe konceptet e ligjshmërisë marrëveshjes, negociatës, duke krijuar një kakofoni krejt të papërshtatshme për kreun e një shteti.

Këtu Presidenti gabon!

Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka negociuar termat e huasë, sikundër edhe këtu presidenti gabon; por thjesht ka shkëmbyer me kundërpalën e vet për ta rialokuar nga një objekt në një tjetër, madje brenda të njëjtës zonë gjeografike, një pjesë të huasë.

Pala saudite nuk ka pasur asgjë tjetër për të thënë kur ka dhënë dakordësinë dhe edhe këtu Presidenti gabon.

Rialokimet e fondeve brenda marrëveshjeve financiare të nënshkruara, janë bërë edhe në të shkuarën, bëhen kudo dhe nuk përbëjnë asnjë përjashtim nga rregulli. Presidenti gabon nga fillimi në fund & pse ia kemi shpjeguar shkresërisht logjikën e kësaj praktike krejt të qartë e të thjeshtë. A nuk e kupton vërtetë apo e bën me qëllim këtë zvarritje të një projekti me rëndësi për Vlorën, këtë nuk dua ta them. Por nesër do të them më shumë”.

Anila Denaj