Juventusi sfidon Milanin për të rihapur kampionatin

milan juve 1100x620

Nëse në dekadën e fundit ka pasur një diferencë të madhe pikësh mes Milanit dhe Juventusit, me “Zonjën e Vjetër” si kryesuese të zakonshme, këtë sezon diferenca qëndron, por me klubet që kanë ndërruar vendet.

Milan dhe Juventus masin forcat për herë të parë në “San Siro” në një duel me plot gojë titulli, pasi çdo rezultat veç barazimit do të tregojë shumë për fatin e titullit kampion. Një humbje do të ishte fatale për “Zonjën e Vjetër”, teksa do ta thellonte distancën në 13 pikë mes dy skuadrave. Por, suksesi në të njëjtën kohë, i rikthen bardhezinjtë bindshëm në garë, me diferencën që do të zvogëlohej në 7 pikë dhe në 4 nëse Juventus fiton ndeshjen e prapambetur me Napolin.

Supersfida do të ketë edhe mungesa, kryesisht te Milan, që do të duhet të bëjë pa sulmuesin kryesor të skuadrës, liderin Zlatan Ibrahimovic, i cili e ka hedhur pas dëmtimin, por i duhet edhe pak kohë për t’u rekuperuar plotësisht. Përveç tij, edhe Gabbia, Bennacer e Saelemakers.

Te torinezët, mungesë e konfirmuar është ajo e sulmuesit Alvaro Morata, ndërkohë që spanjollit i është bashkuar edhe Alex Sandro. Mbrojtësi brazilian rezultoi pozitiv në testimet e fundit për Covid-19.

Në 15 javë kampionat, kuqezinjtë i kanë marrë pikë të plota të gjitha skuadrave pretendente. Nëse diçka e tillë ndodh edhe ndaj kampionëve në fuqi, atëherë skuadra e Stefano Piolit do të jetë ekipi për t’u mundur i këtij sezoni.