Mbyllja e Kapshticës, emigrantët kalojnë tranzit nga Maqedonia e Veriut për në Greqi

Mbyllja e doganës së Kapshticës, duke mos lejuar kalimin drejt Greqisë, ka bërë që mijëra emigrantë shqiptarë që kaluan festat në vendin tonë të rikthehen në Greqi nëpërmjet kalimit tranzit në Maqedoninë e Veriut.

Që nga ditët e para të këtij viti, është vërejtur një fluks i pazakontë daljeje në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, ku pjesa më e madhe e personave janë emigrantë që shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut për të kaluar në Greqi.

Kryesisht, këtë rrugë tranzit po e përdorin emigrantë që i kanë pasur të afërmit në zonën qendrore dhe juglindore të Shqipërisë dhe që vendbanimin rezident e kanë në pjesën verilindore të Greqisë.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare të Qafë-Thanës, nga kjo pikë kalimi përgjatë 5 ditëve të para të vitit 2021 kanë dalë 6500 shtetas shqiptarë, shumica emigrantë në Greqi.