“Na presin javë shumë të vështira”, paralajmërimi i ministrit britanik: Lehtësimi i bllokimit do të fillojë në mars

gove 1100x620

Britania e Madhe ka javë të tjera shumë, shumë të vështira, përpara në përballjen me emergjencën e Covid. Është ky paralajmërimi i ministrit Michael Gove, numrit tre të qeverisë së Boris Johnson, pas njoftimit të bllokimit të tretë të përgjithshëm, ndërsa vendi lufton për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas tij, ndërsa vijon fushata e vaksinimit, vendi është në një garë me kohën, kundër variantit të ri që është 50% – 70% më i transmetueshëm.

“Sa më efektiv të jetë programi i vaksinimit, aq më lehtë do të jetë heqja e kufizimeve, në mars”.

I pyetur për sa kohë mund të zgjasë bllokimi, ministri Gove tha se ministrat do të rishikojnë përparimin e bërë deri në 15 shkurt.

Qëllimi i ekzekutivit britanik është të vaksinojë rreth 14 milionë njerëz deri në mes të shkurtit.

Boris Johnson anulon vizitën në Indi, pasdite në konferencë për shtyp

Ndërkaq, kryeministri britanik Boris Johnson anuloi një udhëtim të planifikuar në Indi këtë muaj, për shkak të situatës panedemike në vend, duke përmendur nevojën për të mbikëqyrur situatën.

“Kryeministri foli me Kryeministrin Modi këtë mëngjes, për të shprehur keqardhjen e tij që ai nuk do të mund të vizitojë Indinë këtë muaj siç ishte planifikuar,” tha një zëdhënëse e Downing Street.

“Në dritën e bllokimit kombëtar të njoftuar mbrëmë, dhe shpejtësisë me të cilën po përhapet varianti i ri i koronavirusit, kryeministri tha se ishte e rëndësishme për të që të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që ai të mund të përqendrohet në përgjigjen e brendshme ndaj virusit”.

Kryeministri Boris Johnson do të mbajë një konferencë për shtyp me shefin mjekësor dhe këshilltarin kryesor shkencor të Anglisë pasditen e sotme ka njoftuar Downing Street, në ditën e parë të bllokimit të tretë kombëtar të Anglisë.