“Nëse mjekët dhe personat mbi 65 vjeç vaksinohen deri në verë, s’ka më valë virusi”

10 mijë dozat e para të vaksinës ndaj koronavirusit në Shqipëri duhet të shkojnë vetëm për personelin mjekësor. Kështu u shpreh në A2 epidemiologu, Erion Dasho.

“Në Shqipëri është përcaktuar si prioritet personeli mjekësor, kam dëgjuar për policët, kam dëgjuar për mësuesit. Kategoritë e policëve dhe mësuesve, mua më duken të parakohshme pasi kemi vetëm 10 mijë vaksina. Për mua, këto vaksina duhet të shkonin fillimisht për personelin mjekësor, i cili përveçse do të ishte imun, do të mësonin se si t’i administronin vaksinat. Në Gjermani, prioritetet janë të bazuara në evidenca, është më shkencore dhe në fund mendoj se do të ketë rezultate më pozitive se në Shqipëri”, tha epidemiologu.

Sa i përket studimit të Akademisë së Shkencave të Shqipëri, i cili doli në përfundimin që 50% e popullsisë së Tiranës e kanë kaluar koronavirusin, Dasho u shpreh se imuniteti në kryeqytet është në këto shifra.

“Nuk kam shumë besim sepse ende nuk jam njohur me metodologjinë e studimit, kjo nuk është shpjeguar. Nëse e përzgjedh gabim kampionin, atëherë rezultatet janë të gabuara. Nga një logjikë e përafërt, kam nxjerrë një rezultat që i përafrohet realitetit. Edhe nëse nuk është fiks 50%, unë mendoj se duhet të jetë nga 40 deri në 60%, sepse Tirana ka pasur gjithmonë numër më të lartë rastesh dhe vdekjesh”, tha epidemiologu.

Për epidemiologun, nëse personeli mjekësor dhe grupmosha mbi 65 vjeç do ta marrin vaksinën para verës nuk do të ketë një valë tjetër gjatë dimrit.

“Duke qenë se dozat e vaksinës janë të kufizuara, duhet të vendoset prioriteti te personeli mjekësor që ende nuk e ka kaluar koronavirusin dhe te personat me moshë mbi 65 vjeç. Nëse Shqipëria do të arrijë që të vaksinojë këta persona para stinës së verës, jam i sigurt që do të parandalohet një valë tjetër e virusit në sezonin e virozave, 2021-2022”, tha epidemiologu.