Olta Xhaçka merr detyrën: Reformim i shërbimit diplomatik. Dera ime e hapur për këdo

xhacka 1 1100x620

Në fjalën e saj, në marrjen e detyrës, ministrja e re e Jashtme, OIta Xhaçka, e vuri theksin te reformimi i shërbimit diplomatik, ndërkohë që solli në vëmendje rastet e zvarritjes së qytetarëve shqiptarë në Athinë e Selanik. Sipas saj, kjo ministri duhet të shkëlqejë në çdo drejtim, sepse është shëmbëlltyra e shtetit shqiptar në sytë e të huajve dhe të shqiptarëve jashtë kufijve.

“Rritje sasiore e cilësore përmes digjitalizimit të shërbimeve për shqiptarët jashtë atdheut duhet të vazhdojë me ritme të larta. Askush nuk duhet të ndjehet i lënë pas dore dhe ndodhitë e zvarritjes së qytetarëve para disa kohësh në konsullatën tonë në Selanik apo në ambasadën tonë në Athinë, jo vetëm nuk duhet të përsëriten, po duhet te mos harrohen asnjëherë si mësim i madh për shërbimin tonë konsullor. Unë do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar një sërë hapash të mëtejshëm ne reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve të jepni idetë tuaja”.

Duke e konsideruar integrimin europian si prioritetin numër një të qeverisë, Xhaçka tha se kryenegociatori duhet të marrë jo vetëm përgjegjësinë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me këtë ministri.

“Puna nuk është asnjëherë mjaft dhe unë nuk do të mjaftohem me atë që është bërë apo që vartësit e mi janë mësuar të bëjnë. Unë dua më shumë, nga të gjithë, duke nisur nga vetja ime. Parimi im në drejtimin e dikasterit është sa më lart në pozicion, aq më shumë energji dhe orë pune në dispozicion të institucionit nga secili e secila.

Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapërcyer barriera të reja e duhen bërë pune të reja, siç është edhe puna me integrimin europian për shembull. Dhe në këtë drejtim, që është edhe prioriteti ynë nr 1, jam e kënaqur që puna ka qenë intensive. Kryenegociatori duhet të marrë jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij”.

Xhaçka theksoi se dera e saj është e hapur për gjithëkënd, por edhe vendimmarrja do të jetë e vendosur për të mos toleruar asnjë zvarritje, pengesë a vonesë të shkaktuar subjektivisht.