Rama: Cakaj u godit në mënyrë absurde, por ia doli me sukses

rama cakaj 1100x620

Në prezantimin e Olta Xhaçkës në postin e ministres së Jashtme, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e paraardhësit të saj, Gent Cakaj, dhe tha se pavarësisht se ai u godit në mënyrë absurde dhe të paragjykuar, ia doli të që ta mbajë me sukses barrën.

“Duke qenë i detyruar që ta kryesh detyrën në mënyrë të penguar qysh në krye të herës, si rezultat i një ngërçi absurd, të krijuar institucionalisht. Përtej kësaj unë besoj që në këtë periudhë, detyrat jo të lehta janë përballur me dinjitet dhe sukses. Dua ta falënderoj Gentin për gjithçka që bëri në këto dy vjet në këtë detyrë, aspak të lehtë. Përtej faktit që u godit në mënyrë absurde, të shëmtuar dhe i paragjykuar, ia doli që ta mbajë me sukses barrën dhe të tregojë cilësitë e tij të veçanta që jam i bindur që do të ketë kohën dhe mundësinë t’i shpalosë në të ardhmen në funksion të asaj që ai vetë e tha, në këtë lidhje të pazgjidhshme me Shqipërinë”.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës te Xhaçka, Rama tha se ndihet i lehtësuar, që i ka dorëzuar të gjitha përgjegjësitë ministrit të ri.

“Pa diskutim që për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte e panevojshme, sepse Genti ka pasur dhe i ka kapacitet për ta mbajtur këtë barrë plotësisht, por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni në kryesimin e OSBE dhe për të mos lejuar që për shkak të formalitet, mungesa e një ministri të Jashtëm të dekretuar të kthehej në një mundësi për të krijuar dhe stimuluar keqkuptime brenda familjes së madhe të OSBE e mora këtë angazhim dhe jam i lehtësuar sot, që këtë angazhim mund t’ia kaloj Oltës”.