Rama i përgjigjet Metës: Më 25 prill, shqiptarët duhet ta shqelmojnë jashtë politikës ndërmarrjen private të LSI-së

rama berzh frame 0 1100x620

Kryeministri Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit Meta, lidhur me largimet nga Shqipëria të intelektualëve, duke iu referuar raportit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Sipas Ramës, raporti i OECD është i 5-6 viteve më parë dhe të dhënat e tij janë përdorur politikisht kundër qeverisë nga presidenti Meta.

Ai apelon që më 25 prill shqiptarët të nxjerrin jashtë politikës, LSI-në.

“Por, një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët më 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! Çfarë degradimi!”

Rama thotë se propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin dhe natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë.

“Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë! A thua se Iliri, Saliu apo Luli e Monika nuk ishin në pushtet me vite të tëra dhe po këta do t’i kthejnë shqiptarët nga rruga, me kallamin e tyre magjik!”.