Raporti i OECD: Shqipëria, e katërta në botë për rritjen e emigracionit të intelektualëve

Nga Shqipëria po largohen intelektualët dhe pjesa më vitale e ekonomisë. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD në raportin e fundit konstaton se vendi ynë renditet i katërti në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016. Për këtë periudhë, norma e emigrimit të personave me aftësi të larta, siç duket edhe nga tabela e OECD-së është rritur me 14,6%, pas Liberisë me 27,9 %, Butanit me 15,4% dhe në të njëjtin nivel me Moldavinë.

Ndërkohë që në renditjen e përgjithshme, për sa i përket normës së emigracionit të intelektualëve Shqipëria renditet vendi i tetë në botë, duke e pasur këtë tregues 38,1%. Emigrimi në tërësi dhe i personave me aftësi të larta në veçanti është një dukuri që ka prekur të gjithë Ballkanin.

Sipas raportit të OECD-së, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnjë dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia e Veriut prej 18%. Emigracioni është një fenomen që prek vendet me të ardhura të ulëta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por të arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë. Kjo për shkak të aftësive të tyre intelektuale për tu përshtatur, por edhe politikave të favorshme që zbatojnë shumë vende europiane për të tërhequr personat me aftësi të larta.