Stadiumi i shndërruar në “kamp vdekje”, mijëra persona u burgosën dhe ekzekutuan

Stadiumi Al-Shabab në Siri është një vend ku mijëra persona u burgosën, u torturuan dhe u ekzekutuan.

Fotografi James Bingham, u fut në burgun e ISIS në fund të dhjetorit ndërsa po udhëtonte nëpër Siri në emër të organizatës Frontline Children.

Fotografitë e tij tregojnë çfarë ka mbetur brenda stadiumit që u shndërrua në një burg vdekjeje të ISIS-it. Imazhet pasqyrojnë muret e përgjakura dhe se si tualetet e dhomat e zhveshjes u shndërruan në dhoma izolimi dhe torturash.

Fotografi rrëfen se burgu ishte ”vendi më i keq që ka qenë ndonjëherë” dhe se personi që e shoqëronte i kishte thënë se dhjetëra trupa janë zhvarrosur nga vendi.

“Shumica e ambienteve nuk kanë dritare ose dritë. Tualetet janë shndërruar në dhoma izolimi. Nëpër mure janë shkruar emra të burgosurish, fjalët e fundit të njerëzve. Njerëzit e sjellë këtu vuajtën tmerrësisht shumë, dhe pak prej tyre dolën gjallë”, shprehet ai.

Fotografi tregon se po bëhen përpjekje për të pastruar stadiumin dhe për të fshirë të kaluarën e tij, me shpresat për ta rikthyer atë në funksionin e tij primar. Sidoqoftë, në mungesë të fondeve dhe mbështetjes ndërkombëtare, përparimi është shumë i ngadaltë. Sipas tij, pjesa tjetër e qytetit Raqqa mbetet në një gjendje të ngjashme shkatërrimi, me më shumë se 11 000 ndërtesa të pabanueshme. Ka ndërprerje të vazhdueshme të furnizimit me ujë dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor janë të kufizuara.