Viti i Ri, mëri të vjetra. Rama përplaset me Metën dhe Bashën për shifrat të “larguarve”

Vit i Ri jo domosdoshmërisht duhet të thotë se shuhen mëritë e vjetra. Edi Rama u vu nën akuzat e presidentit Ilir Meta dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Shkak i akuzave u bë një raport i OECD-së e cila e rendiste Shqipërinë ndër vendet me emigrimin më të lartë të forcës punëtore dhe njerëzve intelektual dhe si zgjidhje shihet data 25 prill.

“Një tjetër rekord i zi! Sipas raportit të vitit 2020, të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve. Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë”.

Ilir Meta

Në të njëjtën linjë me Metën ishte edhe Basha.

“Largimi masiv i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të Ramës. Shqipëria po humb një brez të tërë prej largimeve masive të 8 viteve të fundit. Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë”

Lulzim Basha

Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Edi Ramës i cili e konsideroi propagandë çështjen e largimit të shqiptarëve.

“Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin dhe natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë. Një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët më 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë, ndërmarrjen private të LSI-së!”

Edi Rama

Akuzat ndërmjet tre aktorëve kryesor në skenën politike shqiptare kanë vijuar pa ndërprerje edhe gjatë tranzicionit nga 2020 në 2021 duke treguar se ethet elektorale të 25 prillit kanë nisur edhe në këto ditë të ftohta të muajt janar.