Zhduket themeluesi i Alibaba, nuk shfaqet në publik prej muajsh, ka kritikuar Kinën

Jack Ma 1100x620

Themeluesi i Alibaba, Jack Ma, nuk është shfaqur në syrin e publikut gjatë dy muajve të fundit, madje ka munguar edhe në episodin final të një spektakli televiziv ku duhej të ishte në rolin e një opinionisti. Ky mister i mungesës së Jack Ma ka nxitur një valë spekulimesh në rrjete sociale lidhur me vendndodhjen e tij, teksa rregullatori i Kinës po shënjestron perandorinë e tij të biznesit.

Sipërmarrësi i profilit të lartë në Kinë nuk është shfaqur në publik që prej fundit të tetorit, ku në një forum në Shangai kritikoi sistemin rregullator të vendit komunist në një fjalim duke bërë që të përplasej me zyrtarët kinezë.

Kjo solli një penalizim në kuotimin në tregjet e bursave për mekanizmin financiar të kompanisë Alibaba, duke i bllokuar një operacion prej 37 miliardë dollarësh, më i madhi i këtij lloji.

Financial Times raportoi se Jack Ma ishte zëvendësuar në nëntor në episodin e fundit të një spektakli për sipërmarrësit e rinj të quajtur “Heronjtë Afrikanë të Biznesit”. Një zëdhënës i Alibaba tha për Reuters se ndryshimi u bë për shkak të mos rakordimit të orareve dhe nuk dha shpjegime të mëtejshme.

Postimi i fundit i Ma në rrjetet sociale daton në muajin tetor të 2020-ës. Kompania Alibaba po hetohet aktualisht nga autoritetet kineze nën dyshimin për sjellje dominuese në treg.