“20 mijë persona brenda ditës”, Hoti prezanton strategjinë e vaksinimit në Kosovë

Vaksinat e para kundër koronavirusit në Kosovë pritet të mbërrijnë në shkurt. Ndërsa prezantoi strategjinë e imunizimit, kryeministri Avdullah Hoti tha se stafi shëndetësor dhe ata mbi moshën 65-vjeçare do të jenë mes të parëve që do të vaksinohen.

“Ashtu si na vijnë sasitë e vaksinave, do të kryhet vaksinimi i qytetarëve. Fillimisht, mjekë dhe stafi tjetër shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeç, personat që kanë rrezikshmëri të lartë, e cila përcaktohet nga lista e sëmundjeve”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Hoti udhëzon komunat të përgatisin listat e qytetarëve e mbi bazë të kritereve të lartpërmendura. Synimi është që 20 mijë qytetarë të vaksinohen çdo ditë: “Kapaciteti ditor i institucioneve shëndetësore është të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda dite”.

Kryeministri e cilësoi një lajm të mirë rënien e infektimeve gjatë ditëve të fundit dhe tha se masat në fuqi do të vazhdojnë të zbatohen deri në hapjen graduale gjatë javëve në vazhdim.  

Përveç 535 mijë dozave që do të blejë nga Pfizer, Kosova, sipas Hotit, do të sigurojë 600 mijë të tjera nga Australia dhe 720 mijë vaksina nga Covax, mbi 300 mijë prej të cilave pritet të jepen falas.