Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Debat në A2 Business Week për largimin e shqiptarëve, Gjylameti: Është lëvizje e lirë. Sulka: Po bëni rolin e strucit

Nga A2 CNN
6 Janar 2021, 23:40 | Ekonomi
Debat në A2 Business Week për largimin e shqiptarëve, Gjylameti:

Shqiptarët po largohen. E ndërsa disa vite më parë emigronin, ata që nuk kishin një punë apo të ardhura për të jetuar, tashmë po ikin edhe intelektualët, ata që kanë punë dhe mirëqenie. Drejt destinacioneve të preferuara që janë vendet europiane kryesisht, Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia, por edhe më larg, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tre dekada pas ndërrimit të sistemit politik dhe ekonomik, shqiptarët janë sërish në rrugë. Pse po emigrojmë? Për këtë temë u diskutua, këtë të mërkurë, në A2 Business Week

Blerina Gjylameti, deputete e Partisë Socialiste, u shpreh se ky fenomen duhet të trajtohet në kompleksitetin e tij dhe se nuk duhet të flasim për emigracion, por për lëvizje të lirë.

“Ky fenomen trajtohet gabim. Ne nuk duhet të flasim për emigracion, por për një lëvizje të lirë të qytetarëve. Edhe në raportin e OECD përmendet se Shqipëria nuk ka një ndryshim nga vendet e rajonit sa i përket atyre që vendosin për një jetë më të mirë të shkojnë drejt një vendi me standarde më të mira për të jetuar. Shqipëria nuk mund të ketë ndryshim se çfarë ka ndodhur më parë edhe në vendet e zhvilluara sot, si Italia, Gjermania, e shtete të tjera”, u shpreh deputetja e PS.

Fjalën më pas e mori eksperti i ekonomisë, Kastriot Sulka, ish-zëvendësministër i Punës, sipas të cilit problemi nuk qëndron te lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Kur u bë liberalizimi i vizave u bërtit me të madhe që kjo mundësi të mos i jepej shqiptarëve sepse do iknin 1 milion, por në atë kohë nuk ikën farë. Pra, nuk paska qenë si rezultat i lëvizjes së lirë. Kjo mundësi është prej 10 vjetësh, por pse ne jemi të parët në Europë? Ndodh që ka edhe të varfër, por pse të jemi ne.

Ndërkohë, ekspertja për ekonominë, Lindita Milo, u shpreh se duhen politika nxitëse për të ndalur këtë fenomen. “Shifrat janë në rritje dhe duhet të merren në konsideratë, pasi nuk bëhet fjalë për lëvizje të lirë të qytetarëve, por për efekte të qenësishme ekonomike. Flasim për politika nxitëse të biznesit, për efekte afatgjata në skemën e pensionit. Kërkohet një studim i detajuar dhe politika të përshkallëzuar”, u shpreh Milo.

Për Sulkën, qeveria po kërkon të mos e njohë këtë si problem dhe jo të ndërmarrë politika për t’i dhënë zgjidhje. “Shqiptarët kanë 10 vite që janë të lirë. Ne kemi problemin e madh se jemi sot të parët dhe po ecim me hapa galopantë drejt kësaj të keqeje. Së dyti, duke bërë këtë rolin e strucit, duke fshehur kokën për të mosnjohur problemin. Madje, ne duam t’i ndryshojmë edhe termin. Ai e ka futur në studim si emigrim, eksod. Nuk mund të themi se është lëvizje, por nuk është kështu, ikën dhe nuk vjen më”.

“Po bëni analogji që nuk shkojnë”, tha deputetja e PS, Gjylameti.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani