Dita e “Ujit të Bekuar”, pandemia kushtëzon ritet tradicionale të kremtimit

Besimtarët e krishterë ortodoksë kanë kremtuar ditën e “Ujit të bekuar”, një simbolikë kjo e pastërtisë, jetës dhe shpëtimit për besimtarët.

Në Korçë, për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia, për herë të parë rituali u zhvillua në katedralen “Ringjallja e Krishtit”, duke shmangur në këtë mënyrë hedhjen e kryqit në ujë, e njohur si Epifania. Besimtarët në distancë kanë marrë ujin e bekuar në shtëpitë e tyre, duke besuar për një vit të mbare dhe me shëndet.

Në të njëjtën mënyrë janë zhvilluar ceremonitë e ujit të bekuar edhe në qytetin e Durrësit, ku ndryshe nga herët e tjera kryqi nuk është hedhur në det. Besimtaret ortodoksë kanë mbushur nga uji i bekuar në kishat e Shën Astit dhe Shën Pavlit.

Ndërsa në Vlorë, moti i ftohtë dhe pandemia duket se nuk kanë penguar kryerjen e riteve tradiocionale të ujit të bekuar. Të rinjtë kanë sfiduar ujin e ftohtë për të nxjerrë kryqin nga uji. 18-vjeçari Kristi Komini nxorri për herë të parë kryqin dhe ndan përjetimet e këtij emocioni të paprovuar me parë. Ceremonia u ndoq nga disa besimtarë dhe u drejtua nga at Ilia Qirjo.