Evropa miraton vaksinën e dytë, Moderna

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i ka dhënë dritën jeshile vaksinës Moderna, kundër Covid-19, një lëvizje që së shpejti do t’i  hapë rrugën shpërndarjes në bllok.

Kjo është vaksina e dytë që merr dritën jeshile nga agjencia europiane. Më 21 dhjetor, kjo agjenci  miratoi vaksinën Pfizer-BioNtech.

Pas rekomandimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tani duhet të autorizohet zyrtarisht nga Komisioni Evropian, i cili pritet të bëhet së shpejti.

Drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke, tha të mërkurën se kjo vaksinë na ofron një mjet tjetër për të kapërcyer emergjencën aktuale.

“Është një dëshmi e përpjekjeve dhe angazhimit të të gjithëve që kemi këtë rekomandim të dytë pozitiv të vaksinës, vetëm pak nga një vit që kur u shpall pandemia nga OBSH”, tha ajo.

Presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Twitter se EMA kishte zbuluar se vaksina Moderna është e sigurt dhe efektive dhe se vendimi i tyre është një “lajm i mirë për përpjekjet tona për të sjellë më shumë vaksina COVID-19 te Evropianët! “

“Tani ne jemi duke punuar me shpejtësi të plotë për ta miratuar dhe për ta bërë të disponueshëm në BE”, tha ajo.