Merkato e kandidatëve, Nasip Naço kalon me PS: I bekuar në krah të Klosit

U duk i tërhequr nga politika, por Nasip Naço thjesht ka ndryshuar drejtim. Ish-ministri i Drejtësisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një eksponent i lartë i kësaj partie zgjodhi ditën e Ujit të Bekuar për ta njoftuar bashkimin me Partinë Socialiste. “Sot është një ditë e bekuar, e bekuar sepse jam në krah të mikut tim, zoti Klosi”.

Shkak i largimi duket se është mënyra e drejtimit të LSI-së dhe koalicioni me PD-në. Të paktën këto ishim argumentet publike të Naços. “Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente politike, nuk ka nevojë për të qenë vasal i dikujt tjetër”.

Partia Socialiste duket e entuziazmuar me afrimin e fundit ku drejtuesi i qarkut të Beratit, Blendi Klosi, deklaroi se tashmë objektivi i PS-së në këtë qark është i arritshëm. “Me afrimin e kolegëve të shquar si, Nasip Naçon, e do të arrijmë objektivin tonë për 5 mandate në Berat”, tha Klosi.

Qarku i Beratit është shquar si një bastion i majtë ku votat e së majtës janë ndarë ndërmjet PS-së dhe LSI-së dhe Nasip Naço ka qenë drejtues fushate në këtë qark, nën flamurin e Lëvizjes Socialistë për Integrim.