Ndahet nga jeta vejusha e fundit e një veterani të Luftës Civile Amerikane, u martuan kur ai ishte 93 vjeç dhe ajo 17

Vejusha e fundit e njohur e një veterani të Luftës Civile Amerikane ndërroi jetë në moshën 101-vjeçare. Pak vetë e dinin historinë e saj të jashtëzakonshme, pasi mendohej se vejusha e fundit e një veterani të Luftës Civile kishte vdekur në vitin 2008.

Por Helen Viola Jackson, nga Marshfilld, Misuri, e tregoi historinë e saj në vitin 2017, për t’u futur në historinë amerikane si vejusha e fundit e një veterani të Luftës Civile. Ajo shpjegoi se ishte martuar me burrin e saj, James Bolin, në vitin 1936, kur ai ishte 93 vjeç, ndërsa ajo, vetëm 17 vjeç.

Bolin ishte mik i familjes dhe i ati e kishte dërguar të jetonte me të, për ta ndihmuar për shkak të moshës së thyer. Por duke qenë se Bolin nuk kishte me çfarë ta paguante, kishte sugjeruar që të martoheshin, në mënyrë që të merrte pensionin e tij, si ish-ushtar i Unionit.

Jackson ra dakord, por me kusht që të mbante mbiemrin e vet dhe të vazhdonte të jetonte me familjen e saj. Kështu ajo qëndroi e martuar me Bolin derisa ai vdiq në 18 qershor 1939. Jackson nuk u martua më kurrë dhe nuk pati fëmijë. Ajo gjithashtu as nuk e mori kurrë pensionin e bashkëshortit e saj, pasi u kërcënua nga mbesa e Bolin se do t’i shkatërronte reputacionin. “Një grua në vitin 1939 vetëm reputacionin kishte”, tha atëherë Jackson.

Vdekja dhe historia e 101-vjeçares u konfirmua dhe nga shoqata e Djemve të Veteranëve të Luftës Civile. Historia e saj ishte edhe subjekti i një drame të shkruar në vitin 2019, “Vello e Fshehtë”, të vënë në skenë në disa teatro amerikanë.