PD: Rama jep kalatën e Portit të Durrësit për 30 mln euro te pronarë të fshehur në parajsa fiskale. Do ta anulojmë

tabaku 5 1100x620

Partia Demokratike ka denoncuar sot dhënien me koncension të kalatës së Portit të Durrësit, sipas së cilës është një tjetër aferë korruptive në largim e kryeministrit Rama. Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, Jorida Tabaku është shprehur se Rama ka detyrimin t’u thotë shqiptarëve se kujt ia ka dhënë me koncension kalatën e Portit të Durrësit për të futur në xhep 30 milionë euro nga taksat.

“Kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie? Çfarë dhe kush fshihet pas kompanisë malteze që do të marrë në dorëzim një pjesë të Portit të Durrësit? Pse Edi Rama po dorëzon një nga pikat e sigurisë kombëtare te një kompani me pronarë të paidentifikuar?”

Sipas Tabakut, kompania e shpallur fituese operon në Maltë dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimta nga skandali i “Panama Papers”.

“Kompania e shpallur fituese për koncesionin 30 milionë euro quhet “Hili Company Limited”. Ajo operon në Maltë dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimta nga skandali i “Panama Papers”. Administratori i kompanisë është hetuar në Maltë për pastrimin e parave dhe për mekanizma të ngjashme. Prandaj, Edi Rama duhet të dalë sot para shqiptarëve dhe të thotë çfarë e detyroi të japë pasurinë e vendit, kalatën e Portit të  Durrësit, te një kompani fantazmë”.

Tabaku shprehet se kjo nuk është hera e parë që Rama bën biznes të pistë me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve, pasi të njëjtën skemë ka ndjekur edhe me incineratorin e Tiranës, pronarët e të cilit janë të fshehur në llogari ofshore dhe paguhen miliona euro nga qeveria e tij, dhe bashkia e Erion Veliajt.

Partia Demokratike, premtoi Tabaku, ka një angazhim konkret që të hetojë me prioritet dhe do të anulojë koncesionin 30 milionë euro në Portin e Durrësit.