Projektligji i qeverisë, çfarë ndryshon te kushtet e ekstradimit

Qeveria ka miratuar një projektligj lidhur me ekstradimet duke i shtuar disa pika ligjit ekzistues.

Ndryshimi thelbësor është pikërisht në nenin 32 për kushtet e ekstradimit. Sipas ligjit të miratuar në vitin 2009, i cili hapi jo pak probleme në çështjen e esktradimit të një penduari të drejtësisë, nuk parashikohej nëse personi ka kryer një vepër penale në Shqipëri për të cilën mund të pezullohej ekstradimi.

Kështu në projekligjin e ri shtohet dhe një pikë e re; e) Kur personi, për të cilin kërkohet ekstradimi, ka kryer një vepër penale në Shqipëri dhe mund të vendoset pezullimi i ekzekutimit të ekstradimit ose dorëzimi i përkohshëm i tij.

Një shtesë e tillë duket se rregullon dhe disa veprime të institucioneve në vitin 2018 pas ekstradimit të Nezar Seitit i njohur si financier i Habilajve në dosjen e narkotrafikut nga Shqipëria drejt Italisë.

Ekstradimi i Seitit në Itali prodhoi debat politik në janar të vitit 2018, kur u largua pasi opozita akuzonte mazhorancën se e ekstradoi për të mbyllur dosjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte gjithashtu nën hetim në Shqipëri, si pjesë e grupit të narkotrafikut të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Procedura e ndjekur nga institucionet u bë objekt hetimi nga prokuroria e Durrësit, por që shumë shpejt i mbylli ato duke thënë se u shkel ligji, por vetëm ai i natyrës administrative.

Nezar Seitiu arrestua në Babicë të Vlorës gjatë një aksioni antidrogë, të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku u sekuestruan 4 tonë kanabis. Por, pas 3 muaj qëndrimi në qeli në Shqipëri edhe pse kishte kryer një vepër penale në vendin tonë u ekstradua drejt Italisë në janar të vitit 2018.