Rama në Turqi, Erdogan: Synojmë rritjen e investimeve. Nënshkruam krijimin e këshillit të bashkëpunimit strategjik

Kryeministri Rama ndodhet në Ankara, ku është takuar me presidentin e Turqisë, Erdogan. Para konferencës së përbashkët u nënshkruan disa marrëveshje strategjike mes dy vendeve.

Ndërkohë, Erdogan, në fjalën e tij, u shpreh se Turqia do të rrisë investimet në Shqipëri. Ai tha se mes dy vendeve është nënshkruar marrëveshja për krijimin e bashkëpunimit strategjik në nivelin e lartë.

“Jam shumë i kënaqur që pres sot në Ankara kryeministrin Rama. Shqipëria është një vend mik, vëlla dhe aleat. Ne jemi dy popuj vëllezër, që kemi lënë gjurmë në histori. Gjurmët mund të shikohen në shumë fusha të gjera. Nga Elbasani, në Korçë apo nga Shkodra në Vlorë, gjenden gjurmë të lashta. Ne e kemi detyrë ta forcojmë këtë lidhje.

Me rastin e vizitës, sapo nënshkruam marrëveshjen për krijimin e bashkëpunimit strategjik në nivelin e lartë. Ky hap do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm në çdo fushë.

Ne diskutuam edhe çështje të tjera rajonale, si dhe në shumë fusha të tjera se çfarë mund të bëjmë ne në projektet e mëpasshme.

Shqipëria përjetoi dy tërmete të fuqishme dhe pas çdo tërmeti ne dhamë ndihmën tonë. Ne vendosëm të ndërtojmë edhe 522 njësi banimi për vëllezërit tanë. Shpresojmë që të përfundojë ndërtimi në gusht dhe t’ua dorëzojmë këto ndërtesa vëllezërve tanë. Besoj se ky do të jetë një simbol i ri i fatit të përbashkët të dy vendeve. Gjatë takimit, ne vlerësuam këto çështje dhe marrëdhëniet tona ekonomike. Ne jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Më shumë se 600 kompani turke që ofrojnë punësim për rreth 15 mijë vëllezër. Ne synojmë të rrisim investimet në fushën e infrastrukturës dhe turizmit”, tha Erdogan.

Ndërkohë, presidenti i Turqisë theksoi se do të intensifikohet edhe bashkëpunimi në luftën ndaj terrorizmit mes dy vendeve.