Rama: Turqia na u gjend pranë kur të tjerët mbyllën kufijtë dhe për ndihmat

6 JANAR 2021 RAMA ERDOGAN KONFERENCA frame 32390 1100x620

Kryeministri Rama nuk i kurseu falënderimet ndaj presidentit Erdogan dhe shtetit turk për ndihmën e ofruar për procesin e rindërtimit dhe gjatë periudhës së pandemisë.

“Falënderoj nga zemra Erdoganin dhe mikun tim për këtë mikpritje edhe pse nuk është hera e parë që vizitoj Turqinë mike. Në këtë mikpritje, ne të gjithë së bashku si delegacion konstatuam shprehjen e një vullneti të plotë, për të hapur një kapitull të ri mes dy vendeve. Mirënjohës për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën që i konsideroi shumë çështjeve. Dua ta shpreh mirënjohjen për të dhe popullin turk për reagimin e menjëhershëm duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Presidenti Erdogan ishte i pari që u angazhua për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe i hapi një procesi përfshirje të shumë të tjerëve që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të konsiderueshëm për familjet e prekura”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndihma e Turqisë ndaj Shqipërisë erdhi kur ajo, si shumë vende të tjera të botës, u godit nga pandemia e koronavirusit, ndërkohë që shumë vende të tjera, pa i specifikuar, mbyllën dyert.

“Solidariteti i Turqisë ka qenë edhe në momentin kur ajo u godit nga koronavirusi. Turqia na qëndroi pranë dhe nuk u soll si shumë të tjerë që njësoj sikur mbyllën qytetarët në shtëpi mbyllën dhe shtetet e tyre dhe nuk lejuan as kalimin e ndihmave. Një nga temat e bisedimeve ishte bashkëpunimi më i afërt dhe në përballjen me pandeminë pa u kursyer. Edhe pse Turqia ka problemet e saj, nuk u ndal në projektin për rindërtimin e banesave të premtuara në Shqipëri”, shtoi Rama.

Në fund të fjalës të tij, Edi Rama shprehu kënaqësinë për marrëveshjen e saponënshkruar me Erdoganin për krijimin e këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë, i cili, sipas tij, do i çojë marrëdhëniet mes dy vendeve në një stad të ri.