Të mashtruar dhe të vjedhur, fermerët e duhanit në Dumre të papaguar prej 5 vitesh

Të mashtruar, të vjedhur, të papërkrahur nga institucionet shtetërore dhe në vështirësi të mëdha ekonomike, gjenden sot mijëra fermerë që kanë kultivuar duhan në zonën e Dumresë.

Prej vitit 2015, këta fermerë kanë qindra milionë lekë të reja ose thënë ndryshe mbi 1.4 miliardë lekë të pa marra nga firma që u mblidhte duhanin.

Nga ana tjetër, vetë fermerët shprehen se do të ndjekin shembullin e naftëtarëve të Ballshit për t’u futur në grevë urie, në mënyrë që të sigurojnë vëmendjen e institucioneve shtetërore.

Për këta fermerë kultivimi i duhanit është e vetmja e ardhur për familjet e tyre dhe në kushte të mospagesës së prodhimit që kanë dhënë, atëherë këto familje jo vetëm që nuk sigurojnë të ardhura, por janë edhe në borxhe për shërbimet dhe punimet që i kanë bërë tokës.