“Vaksinën duhet ta bëjnë edhe ata që e kanë kaluar Covid-19”, Spahiu: Abuzimi me festat do të sjellë pasoja

Deputetja socialiste, Klodiana Spahiu, ka folur për situatën e pandemisë në vend dhe përgatitjet për vaksinimin. E ftuar në ”Ditari”, në A2 CNN, ajo njoftoi se sot është instaluar dhe frigoriferi i përkohshëm për temperatura jo shumë të ulëta, që do mbajnë vaksinën, pasi hapet, për 5-6 ditë. Sipas saj, nëse bëhen 600 vaksina në ditë do të realizohet objektivi.

“Përpjekja jonë duhet të jetë paralele dhe sot është instaluar edhe frigoriferi i përkohshëm për temperatura jo shumë të ulëta, jo minus 70-80, për ato që do mbajnë vaksinën, pasi hapet, për 5-6 ditë.  Kanë dalë dhe pamjet si është përshtatur stadiumi ”Air Albania” për këtë fushatë vaksinimi. Motivacioni është i bukur dhe ne do ta arrijmë atë qëllim, që brenda një ore të kryhen 60 vaksinime, dhe nëse bëhen 600 vaksina në ditë do të realizojmë objektivin tonë që të fillojmë me mjekët, personelin shëndetësor dhe më pas, sipas programit, për të vazhduar edhe në qytete të tjera”.

Sipas Spahiut, vaksinën duhet ta bëjnë edhe ata që kanë kaluar koronavirusin, për shkak se imuniteti i tyre mbetet i diskutueshëm.

“Do të duhet ta bëjnë edhe ata që e kanë kaluar, sepse imuniteti mbetet i diskutueshëm, sipas ekspertëve. Vaksina të mbron, dhe komplikacionet janë shumë të ulëta në raport me përfitimet”.

Spahiu thotë se është shumë e rëndësishme që personat që do të vaksinohen, të marrin orientimin e duhur, ndërsa theksoi se nëse vaksinohet personeli shëndetësor dhe personat mbi 65 vjeç pritet një verë më ndryshe se ajo e 2020-s.

“Qëllimi është që të arrihet në javën e tretë, ose pak më para, dhe unë do të përgëzoj punën që është bërë për arritjen direkte me Pfizer, si dhe jemi në pritje të marrëveshjes së Covax. Nëse ne me 10 mijë dozat e para, fillojmë me personelin shëndetësor dhe grupet e riskut do të kemi verë më ndryshe se ajo e 2020-s.Për ne, ka rëndësi që ata persona që do bëjnë vaksinën të marrin orientimin e duhur. Historia e vaksinimit është shumë e vjetër, dhe ne kemi pasur rezultate shumë të mira, logjistika është përshtatur për këtë vaksinë. Kemi siguruar 500 mijë nga Pfizer, por do kërkojmë marrëveshje për vaksina të tjera dhe uroj që procesi të nisë sa më shpejt e të jetë i suksesshëm”.

Sa i takon situatës së pandemisë në vend, Spahiu u shpreh se ajo është në nivele të qëndrueshme, por pritet shtim i rasteve për shkak të abuzimit gjatë festave të fundvitit, ku nuk u zbatuan rregullat. Ajo apeloi për ndërgjegjësim dhe zbatim të rregullave.

“Situata është e qëndrueshme, kjo duket nga pozitiviteti i rasteve dhe numri maksimal i testeve. Kemi një pozitivitet të ruajtur në 20%. Kemi qëndrueshmëri të rasteve, por ajo që më shqetëson janë festa e fundvitit ku pati një abuzim dhe dëshirë për të festuar, por pasojat do të vijnë pas dyjavëshit të parë. Uroj që kjo të mos ndodhë. Për shkak të grumbullimeve, ne do kemi pasoja që do i ndjejmë tek të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike. Rregullat janë strikte, por zbatimi i tyre nga disa individë nuk ka qenë si duhet. Mjaftojmë të kujtojmë jetët e humbura dhe të ndërgjegjësohemi,. Kjo punë nuk është e forcave të rendit, por e ndërgjegjes së njeriut. Kur kaluam kaq shumë vështirësi ne duhet të përpiqeshim që këtë Vit të Ri dhe këto festa t’i kalonim brenda familjes.”