Gjykata Kushtetuese zgjedh drejtuesin e ri, pritet edhe caktimi i kalendarit të çështjeve “të nxehta”

Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, do të vijojë të jetë drejtuese e Gjykatës Kushtetuese, edhe për tri vitet e ardhshme. Kështu u vendos nga mbledhja e sotme e këtij institucioni, të kryer pas pas gati tri vitesh, për shkak të mungesës së kuorimit të gjyqtarëve.

Në njoftimin për mediat, Gjykata Kushtetuese thotë se do të caktojë edhe kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre.

Në Gjykatën Kushtetuese kanë mbërritur prej muajsh disa çështje të nxehta, si zgjedhjet vendore të 30 qershorit, padia e presidentit për ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.