Jake Angeli, “shtrigani viking” që pushtoi Kongresin amerikan

Nga të gjithë pamjet e ngjarjeve të djeshme në Kongresin Amerikan, më së shumti dramatike dhe fyese, për atë që cilësohet si demokracia më e konsoliduar në botë, kishte edhe disa pamje që tërhoqën vëmendjen për veçantinë e tyre, si të ardhura nga një kohë dhe një botë tjetër, por gjithsesi domethënëse për përçarjen që po përjeton sot shoqëria amerikane.  

Një i ri, i veshur vetëm me një peliçe dhe me dy brirë, paraprinte ato dhjetëra protestues pro Trump që u vërsulën në godinën ikonike të pushtetit amerikan, duke e pushtuar atë me orë të tëra.

Pamjet e tij, triumfues në vendin që zakonisht i përket Nancy Pelosit do të jetë e skalitur gjatë në mendjen e amerikanëve, dhe në faqet e librave të historisë.  

Por, personazhi gjysmë shtrigan dhe gjysmë viking nuk është i panjohur. Ai quhet Jake Angeli, një 32-vjeçar italo-amerikan që jeton në Phoenix, që prej muajsh është shndërruar në një pikë referimi për pjesën më radikale të mbështetësve të Trump, ata që bëjnë pjesë të lëvizjes QAnon.

Komplotistë, negacionistë, pjesë e organizatave të tjera të së djathtës ekstreme, këto janë karakteristikat e kësaj lëvizje që mendon se bota po drejtohet nga një sekt në nivel botëror, me prirje pedofile dhe që urrejnë mitin e tyre, presidentin Donald Trump.  

Teori që Angeli shpreh publikisht në rrjetet sociale, duke marrë mijëra mesazhe mbështetje, edhe pse aktiviteti i tij nuk ka qenë vetëm virtual. Gjatë zgjedhjeve, sërish “Shtrigani i QAnon” ishte protagonist i protestave në Arizona, ku mbështetësit e Trump denonconin vjedhjen e votave.

Dje, arriti qëllimin dhe bashkë me disa të besuar, që e quajnë veten si patriotë, mësynë në sallat e pushtetit amerikan. Njëra prej tyre, Ashli Babbitt, veterane e ushtrisë amerikane dhe mbështetës e flaktë e QAnon, u vra me shumë mundësi nga forcat e rendit, në një nga ditët më të errëta dhe paradoksale të historisë amerikane.