Kongresi Amerikan rifillon punimet pas dhunës në Kapitol

kongresi 1 1100x620

Kongresi amerikan rifilloi seancën për konfirmimin e rezultateve të Kolegjit Elektoral për fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, pas dhunës së pashembullt në Kapitol.

Senati po voton tani për kundërshtimin e numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor të Pensilvanisë.

Nënpresidenti, Mike Pence, ka pranuar kundërshtimin e Pensilvanisë ndaj rezultateve të saj zgjedhore.

Pas disa fjalimeve të anëtarëve të tij, Senati amerikan hodhi poshtë me shumicë dërrmuese një lëvizje nga aleatët e presidentit Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale për shtetin e Arizonës, që i dha fitoren demokratit, Joe Biden.

Si demokratët edhe republikanët dënuan dhunën në Kongres, por ndërsa demokratët fajësuan presidentin Trump për nxitjen e saj, shumica e republikanëve nuk e përmendën atë.

“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër dhunën që ndodhi këtu. Pikëllohemi për humbjen e jetës në këto salla të shenjta, si dhe dëmtimet e pësuara nga ata që mbrojtën Kapitolin tonë, sot”, tha nënpresidenti, Mike Pence.

Procesi i Kolegjit Zgjedhor që filloi me zgjedhjet e nëntorit vjen në finale, kur votat presidenciale të të gjitha 50 shteteve dhe Distriktit të Kolumbisë do të numërohen gjatë një seance të përbashkët të Kongresit.

Normalisht është një hap ceremonial, por pasi nuk arriti të përmbysë fitoren e Joe Biden në gjykata ose në legjislaturat e shtetit, presidenti Donald Trump ka inkurajuar mbështetësit e tij të kundërshtojnë votat nga një pjesë e shteteve të fushës së betejës.

Këto kundërshtime do të detyrojnë orë të tëra debate dhe një seri votash në të dyja dhomat, por pritet të dështojnë, raporton CNN.