Prezantimi zyrtar, zhgënjeu te Tirana, Albion Avdijaj i bashkohet Vllaznisë

avdiaj 1100x620

Albion Avdijaj është zyrtarisht i Vllaznisë. Pas aventurës jo të mirë te Tirana, ku u cilësua i padëshiruar, sulmuesi prishi kontratën me kryeqytetasit, duke i’u bashkuar shkodranëve si lojtar i lirë. Kuqeblutë përforcojnë sulmin, me 26-vjeçarin që duhet të konfirmojë veten në Kategorinë Superiore, ku ende nuk ka luajtur asnjë minutë, ndërsa në gjysmën e parë të sezonit regjistron vetëm 75 minuta lojë në dy ndeshje të Kupës.

“E kam mbyllur këtë kapitur dhe nuk më intereson më. Të shohim përpara! E kam parë lojën e ekipit dhe duhet të tregoj veten. Me Thomas jam prej dy-tre muajsh në kontakt, e kam pasur profesor në ekipin e dytë të Wolfsburg. Kështu që kam besim dhe s’kam ç’flas më shumë thjesht e tregoj në fushë. Nuk bëj premtime për gola. Kam besim se Vllaznia mund ta fitojë titullin sepse e di sesi punon profesori dhe shoh se janë ekip, që të gjithë bashkë duan të arrijnë diçka”, tha Avdijaj.

Avdijaj bëhet sulmuesi që Vllaznia kërkonte, pasi nuk u arrit akordi me Azdren Llullakun, ndërsa u spekulua për shumë emra që nuk ishin në planet e klubit.

“Avdijaj është lojtar i yni. Ka prishur kontratën me Tiranën dhe ka ardhur te ne si lojtar ilirë. Është njohje e vjetër e trajnerit. Kane bashkëpunuar bashkë në Gjermani dhe shpresoj ta harrojë sa më shpejt atë që kaloi te Tirana. Nuk dua që çdo ditë të shpjegoj lajmet e rreme të medieve. Më telefononi sepse të gjithë e keni numrin tim. Shikoni edhe faqen e klubit. Më vjen shumë keq për njerëzit sepse janë lajme të pabazuara. Me disa lojtarë jo vetëm që nuk kemi folur, por nuk ishin në planet tona”, u shpreh Djarmati.

Me kompletimin e grupit, trajneri Brdariç kërkon që kryesuesit të vijojnë ecurinë pozitive, prej ndeshjes së kësaj fundjave me Teutën. “E kemi nisur vitin me prezantimin e një lojtari cilësor dhe kërkojmë të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Jemi të parët në kampionat dhe të gjithë rivalët kërkojnë të na mundin dhe të na arrijnë. E dimë të qartë që Teuta është e pamposhtur në 12 javë, por luajmë në shtëpi dhe kemi shansin t’u shkaktojmë humbjen e pare”, tha Thomas Brdarić, trajneri Vllaznisë.