Protestat amerikane, reagojnë liderët ndërkombëtarë

amerike 1 1100x620

Pamjet e protestës së dhunshme të mbështetësve të presidentit Donald Trump në Uashington, të kulmuara me rastin e paprecedent të hyrjes në sallat e brendshme të Kongresit nga dhjetëra persona, ka prodhuar reagimin e natyrshëm të komunitetit ndërkombëtar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pasur reagimin më të theksuar  dhe të drejtpërdrejtë, nga liderët më të rëndësishëm botërorë.

“Pamjet nga SHBA-ja më kanë mbushur me trishtim dhe zemërim. Dënoj faktin që presidenti Trump nuk ka pranuar humbjen në zgjedhjet e nëntorit, dhe nuk e ka bërë atë edhe ditën e djeshme. Janë hedhur dyshime mbi rezultatin dhe është përgatitur klima për ngjarjet e djeshme”, shkruan kancelarja.  

“Ishte një sulm ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara, aleati ynë më i fortë, dhe vendi fqinj”, ishte mesazhi i kryeministrit kanadez Justin Trudeau.

Kritika kanë ardhur edhe nga kryeministri britanik Boris Johsson, fillimisht mbështetës i politikave të Trump. “Skena të turpshme në Kongresin amerikan, SHBA është fener i demokracisë në botë dhe është e nevojshme që transferimi i pushtetit të ndodhë në mënyrën më të rregullt dhe paqësore”, ishin fjalët e tij.

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli dënoi gjithashtu skenat e djeshme, ndërkohë që ende mbeten në heshtje armiqtë historikë si Kina dhe Rusia, ndërkohë që Venezuela deklaroi në formë ironike se, “SHBA po korr atë që ka mbjellë në vite agresioni ndaj vendeve të tjera”.