Situata e reshjeve: Përmbytje rrugësh në Vlorë dhe tokash në Rrogozhinë

Reshjet intensive të rëna gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Në Vlorë, janë përmbytur disa prej rrugëve kryesore të këtij qyteti. Ndërsa në Bashkinë e Rrogozhinës, dalja nga shtrati i lumit Shkumbin ka përmbytur toka në disa fshatra.

Shirat e rënë gjatë gjithë natës kanë krijuar përmbytje të tokave bujqësore dhe të rrugëve në qytete. Në Vlorë, disa rrugë kanë qenë të mbuluara nga uji, në orët e paradites së kësaj të enjteje.

Prani më të madhe të ujit kanë pasur bulevardi Vlorë-Skelë, Rruga Transballkanike, kryqëzimi i lagjes 29 nëntori, Lagjja Pavarësia si dhe rruga pranë universitetit Ismail Qemali. Por, fatmirësisht deri tani nuk ka pasur përmbytje të bizneseve apo banesave.

Edhe në fshatrat përgjatë lumit Vjosë për momentin nuk janë shfaqur problematika serioze. Ndërkohë përmbytje të tokave ka patur edhe në fshatrat e bashkisë Rrogozhinë. Këto pamje janë xhiruar në fshatrat Gose, Greth dhe Kryevidh të kësaj bashkie.

Dalja nga shtrati e lumit Shkumbin në pjesën fundore të tij para derdhjes në detin Adriatik ka bërë që uji të vërshojë rrugëve të fshatrave dhe ka depërtuar edhe në oborret e banesave. Banorët e zonës shprehen se situata është përkeqësuar edhe për shkak të mospastrimit të kanaleve kulluese.

Lumi Shkumbin është nga lumenjtë që ka shtuar ndjeshëm prurjet nga shirat e orëve të fundit dhe pritet që ky intensitet të vazhdojë edhe në orët në vazhdim, duke rrezikuar përmbytjen e tokave që përshkohen nga ky lumë në pjesën më fundore dhe fushore të tij.