Zgjedhjet në 14 shkurt, Kurti: Do të jenë një referendum, politika e keqe para popullit

Zgjedhjet e 14 shkurtit do te jenë një referendum,  tha lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, caktoi datën e zgjedhjeve të parakohshme. Osmani shpërndau parlamentin pak orë pas publikimit të aktgjykimit të plotë mbi zgjedhjen jokushtetuese të qeverisë Hoti.

“Zgjedhja e qeverisë koti, ka qenë kot”. Me këto fjalë e nis reagimin e tij lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, pas vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, më 14 shkurt.

“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme, por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Më 14 shkurt, politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Më 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe shpërndau parlamentin, pasi gjykata kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimin e plotë prej 65 faqesh lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisësë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Çështja lidhur me kushtetutshmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi për konfirmimin e saj me 3 qershor, shërbeu vota e Etem Arifit, të dënuar për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Në aktgjykim thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ngre pikëpyetje mbi kandidaturën e Kurtit, i cili në janar të vitit 2018 u dënua me kusht, bashkë me deputetë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.  Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, dhe se Kurti nuk mund të kandidojë.