Ambasadorja Kim reagon për sulmin në Kapitol: SHBA do të jetë më e fortë pas kësaj prove të demokracisë

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka reaguar për ngjarjet në Kapitol, duke u shprehur se këshillat e SHBA për të tjerët duhet të shërbejnë edhe për amerikanët, por liria e fjalës dhe e drejta e protestës nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj vetë demokracisë.

“Këshillat e Shteteve të Bashkuara për të tjerët zbatohen edhe për ne. Liria e fjalës dhe e drejta e tubimit janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit”, shkruan Kim në Twitter.

Sipas saj, SHBA-ja do të jetë më e fortë dhe më e mençur pas kësaj prove të demokracisë, ndërkohë që shtoi se të gjithë ata që besojnë në demokracinë e SHBA-së duhet ta mbrojnë atë.

“Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk mund të merret si e mirëqenë nga askush prej nesh. Shtetet e Bashkuara do të jenë më të fortë dhe më të mençur pas kësaj prove të demokracisë sonë. Ata që besojnë në demokracinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet ta çmojnë dhe  mbrojnë atë gjithmonë”.

Ajo falënderoi të gjithë miqtë e Shqipërisë që u tronditën nga trazirat në Kapitol dhe tha se SHBA mbetet një komb i rendit dhe ligjit.

“Shumë miq të Shqipërisë kanë shprehur tronditje dhe shqetësim rreth sulmit të fundit mbi Kapitolin e SHBA. Unë do të doja t’ju falënderoj për qëndrimin ndaj nesh. Dje, Presidenti Trump bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë dhe duhet të mbeten një komb i rendit dhe ligjit, dhe ata që shkelën ligjin do të paguajnë çmimin.

Presidenti Trump gjithashtu bëri të qartë se Kongresi ka vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve dhe ai tani është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe të qetë të pushtetit në 20 janar”.