Bora mbulon Britaninë, kaos nëpër rrugë

Reshje të dendura bore kanë shkaktuar kaos në rrugët e Britanisë së Madhe, me makina të përmbysura dhe bllokime. Temperaturat kanë zbritur deri në -6 gradë celsius, ndërsa meteorologët në vend kanë paralajmëruar ngrica në pjesën më të madhe të ishullit, përjashto Skocinë.

Britanikët janë paralajmëruar që të shmangin sa më shumë lëvizjet për të mos rrezikuar të përballen me kushtet e vështira atmosferike. Edhe pse shumica e qyteteve janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të masave antikoronavirus, përsëri ka pasur lëvizje dhe si rrjedhojë edhe aksidente në rrugët e mbuluara nga bora.

Përveç ngricës është parashikuar edhe mjegull në ditët e tjera, duke e bërë edhe më të vështirë qarkullimin.