Meta dekreton 5 ligje për mbarëvajtjen e votës, “Çdo fenomen negativ duhet të ndëshkohet rreptësisht”

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot një seri ligjesh të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 17 dhjetor 2020.

Bëhet fjalë për ligjin nr. 146/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”; ligjin nr. 147/2020 “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”; ligjin nr. 148/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 97/2016,’Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”; ligjin nr. 149/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” dhe ligjin nr. 150/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 60/2016, ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.

Ligjet kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore, dhe u cilësuan si të nevojshme nga Kuvendi në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit 2020.

Bashkë me dekretimin e ligjeve, Presidenca  kërkon nga organet e caktuara me ligj, si KQZ dhe SPAK, “të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre, me qëllim hartimin akteve nënligjore të nevojshme dhe implementimin objektiv të këtyre ndryshimeve. Çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cenon sadopak lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht”.