Niset kontingjenti i 8-të në Letoni, Peleshi: I bindur për profesionalizmin e ushtarakëve tanë

Është nisur sot kontingjenti e 8-të i Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese në misionin e NATO-s , në Letoni.

Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, theksoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe vlerësoi përgatitjen dhe profesionalizmin e trupave shqiptare për të shërbyer në misione të tilla.

“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Jam i bindur se me përgatitjen, përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj ju do të përmbushni me dinjitet dhe korrektesë të gjitha detyrat, duke kontribuar në këtë mënyrë në suksesin e Aleancës”.

Kontingjenti i 8-të EOD përbëhet nga 21 ushtarakë të mirëtrajnuar për asgjësimin e municioneve të rrezikshme dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Adazi.

Grup-batalioni i NATO-s në Letoni përbëhet nga mbi 1 mijë trupa nga Shqipëria, Kanadaja, Republika Çeke, Islanda, Italia, Mali i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.

Batalioni ka mision parandalimin, dhe nëse është e nevojshme, mbrojtjen e Letonisë nga çdo agresion i mundshëm.