Operacioni antikanabis, “goditje” e madhe e SPAK, 176 kg hashash në Skrapar

Pritshmëritë e SPAK për goditjen e grupeve kriminale apo dhe zyrtarëve të lartë u finalizuan këtë fillimviti vetëm me sekuestrimin e 176 kilogramëve hashash dhe prangosjen e shefit të stacionit të policisë Poliçan, kryeplakut të fshatit dhe kreut të njësisë administrative.

Krahas kësaj, operacioni antikanabis risolli dhe një herë në vëmendje çështjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, por dhe atë që është më shqetësuse, bashkëpunimin e kultivuesve me segmente të caktuara të policisë.

Vendi ynë, ndonëse sipas të dhënave zyrtare, ka njohur ulje nga viti në vit, sërish numrat mbeten 6-shifore, sa i takon kultivimit, por edhe trafikimit të hashashit drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vetëm përgjatë vitit 2020 policia arriti të konstatojë e asgjësojë 137 216 bimë narkotike prej të cilave 18 828 ishin kubikë. Të gjitha këto numra, nga ana tjetër, nuk u përkthyen ndoshta si duhet në përjashtime nga radhët e policisë.

Nga përfshirja e totalit, prej 468 personave në kultivimin e hashashit, në radhët e policisë u përjashtuan vetëm 3 efektivë, ndërsa u ndoqën penalisht 17 të tjerë. Pothuajse në të gjitha rastet procedimet kanë qenë në nivelin bazë të policisë dhe asnjëherë nuk shkuan në nivele më të larta.

Ndonëse në statistika policia mundohet të flasë për rënie të trafikimit drejt vendeve të Bashkimit Europian sërish hashashi që shkon drejt Europës përkthehet në tonelata.

Krahas heqjes së Shqipërisë nga harta e kultivuesve, ashtu siç pretendohet, sërish vendi mbetet një nga furnizuesit kryesorë të fqinjëve. Tashmë, veç hashashit, Shqipëria pret dhe qindra kilogramë kokaine nga vende të Amerikës Latine, ku jo në pak raste lufta mes grupeve kriminale ka shënuar dhe viktima në Ekuador apo dhe Brazil.