Rënia e fluksit të valutës, tregu i këmbimit i fjetur, nuk pati as luhatje sezonale

Tregu i këmbimit valutor nuk ka njohur luhatje të forta pas daljes së ekonomisë nga karantina, duke mos u ndikuar as nga efektet sezonale të turizmit dhe kthimit të emigrantëve për festa. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet sot për 123.6 lekë, thuajse në të njëjtin nivel që mban prej muajit maj.

Eksperti Arbi Agalliu, argumenton se kjo “përgjumje” e valutave lidhet me reduktimin e ndjeshëm të aktivitetit ekonomik në vend.

Ecuria e kursit të këmbimit

 “Ky vit ishte i pazakontë, nuk pati një fluks të konsiderueshëm që të ndikonte në forcimin e lekut. Viti 2020 ka qenë një vit stabël në kursin e këmbimit, e gjithë veprimtaria ka ndodhur nga aktorët vendas”, thotë për A2 eksperti për Ekonominë, Arbi Agalliu.  

Ndërkaq, të dhënat e ndërthurura të institucioneve zyrtare tregojnë për një rënie të fortë të fluksit të valutës që ka hyrë në vend që prej fillimit të pandemisë.

Arbi Agalliu

“Mungesa e hyrjes së valutës nga turistët dhe emigrantët ka lënë lekun jo në atë fuqi që duhet të kishte, por nga vera tjetër do të ketë një fuqizim. Shumë shqiptarë janë kredimarrës që shpeshherë e kanë marrë kredinë në një valutë jo të njëjtë me rrogat e tyre dhe ndodhen në vështirësi.

Institucionet zyrtare si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave vlerësojnë se pandemia ka rritur rrezikun për hyrjen e parasë informale në ekonomi, diçka që besohet se ka qenë ndër faktorët që kanë kompensuar rënien e valutës që hyn nga kanalet e rregullta, së bashku me fondet e marra për programin e rindërtimit.