Situatë e rëndë nga përmbytjet në Shkodër, uji “pushton” mijëra hektarë toke

Bashkia e Shkodrës dhe zonat përreth saj janë më të goditura nga pasojat e reshjeve që kanë pushtuar vendin ditët e fundit.

Në disa njësi administrative, uji ka pushtuar me mijëra hektarë toke dhe të mbjella, si dhe ka vështirësi në lëvizjen midis fshatrave.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka ndjekur nga afër situatën në zonat më të rrezikuara nga përmbytjet.

Hidrocentrali i Shkopetit ka nisur shkarkimin e ujërave për shkak të prurjeve të mëdha në basenin ujëmbledhës të tij.

Ndërsa më në veri të vendit, në qarkun e Kukësit, reshjet e borës dhe ato të shiut kanë krijuar problematika, kryesisht në rrugët që lidhin zonat rurale, ku janë shfaqur edhe fenomene të rrëshqitjes masive të gurëve dhe dherave.

Problematike, sa i takon përmbytjeve, është paraqitur situata edhe në jug të vendit. Në Novoselë, në vendin e quajtur ura e Mifolit, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në orët e paradites, duke përmbytur disa toka bujqësore, por fatmirësisht, deri më tani, uji nuk ka vërshuar në banesa apo vendet e mbajtjes së bagëtive.

Ndërkohë, nga shirat e rëna gjatë natës, ka rrëshqitur njëri kah i rrugës nacionale Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Borsh. Rruga është çarë në dy pjesë dhe specialistët e ARRSH kanë filluar punën për vlerësimin e dëmeve dhe riparimin e saj.