Vizita “private” në Greqi, Rama diskuton për detin, raportet bilaterale dhe pandeminë

Pas vizitës dyditore në Turqi, gjeti kohë edhe për një ndalesë të shkurtër në Greqi. Kryeministri Edi Rama, u takua me ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias, në atë që mediat helene e raportuan si një “vizitë private” të shefit të qeverisë shqiptare. Temat e diskutimit u bënë publike, ndërsa përmbajtja jo.

“U takova me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Ministrinë e Jashtme greke. Marrëdhëniet bilaterale, perspektiva e Shqipërisë në BE dhe zhvillimet rajonale ishin në fokus”, tha Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Rama njoftoi në rrjetin social “Twitter” që do të ketë dhe një drekë pune me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Diskutimi mes tyre, sipas kreut të qeverisë shqiptare, do të jetë “mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid-19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve; bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë”.

Çështje kryesore, e rikthyer në debatin publik të ditës, është ajo për kufirin detar mes dy vendeve pas zyrtarizimit të vendimit të qeverisë greke për zgjerimin me 12 milje në det. Mediat greke raportuan për lojë të dyfishtë të Ramës, duke qenë se vizita e tij vjen pas asaj në Turqi me presidentin Erdogan.

Sipas gazetave greke, Rama pritet të diskutojë për çështjen e detit, por pritet të mos ketë zhvillime në këtë drejtim deri pas zgjedhjeve parlamentare. Ndër të tjera, mediat helene raportojnë se qeveria e Athinës do ta ndihmojë Shqipërinë me një sasi të vogël vaksinash të Pfizer dhe Biontech.