Zëvendësministri Bejtja: Nuk kemi rrezik të shtuar nga HEC-et

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, tha se pavarësisht reshjeve të shtuara në orët e fundit në të gjithë vendin, nuk ka rrezik të shtuar nga hidrocentralet për përmbytje.

“Përkundrazi jemi duke ndihmuar situatën poshtë në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku situata është rënduar nga shirat e dendur që ka pasur. Prisnim të kishim më tepër reshje në verilindje të vendit dhe për këtë jemi përgatitur prej 8 ditësh, duke marrë masat e duhura për të krijuar kapacitete të lira në të 3 digat, Fierzë, që kemi akoma shumë vend, në Vaun e Dejës dhe në Koman. Janë marrë vendime që të mbahen këto regjime duke mos shkarkuar ujë të tepërt në zonën e Shkodrës dhe Lezhës”, tha Bejtja, përmes një komunikimi me Skype në A2.

“Prurjet natyrale, në këtë moment që flasim, janë 3050 m3/s në lumin e Drinit ndërkohë që ne shkarkojmë në Vaun e Dejës 740 m3/s. Kjo do të thotë që jemi akoma shumë larg kapacitet mbajtës. Nëse ka situatë pak të vështirë atje kjo lidhet me përrenjtë dhe lumenjtë lokalë që kanë rritur edhe nivelin në liqenin e Shkodrës. Nëse ka përmbytje, bëhet fjalë për toka, jo për shtëpia”.

Bejtja pranoi se në të gjithë akset ka probleme në rrugë, por është diçka normale, sipas tij, në situata të tilla, ku ka gjithmonë përmbytje dhe rrëshqitje. “Nënkontraktorët janë në kontroll të situatës, duke bërë pastrimet e ujërave. Kemi vetëm rastin e rrugës Borsh-Piqeras. Trafiku është i menaxhuar, nuk kemi kalim mjetesh të rënda. Presim që situata të normalizohet. Rrëshqitja ka filluar prej 2-3 ditësh. Bëhet fjalë për një segment rrugor që është ndërtuar para 12 vitesh dhe i mirëmbajtur në mënyrë konstante brenda standardeve”, u shpreh zëvendësministri.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike në vend, Bejtja pranoi se ka ndërprerje të lehta në Gjirokastër, Tepelenë, Kukës, Bajram Curri e Shkodër. Por, tha ai, situata paraqitet nën kontroll me hidrovoret, të gjithë janë në punë dhe janë furnizuar me energji elektrike. I pyetur nëse do të ketë depozitime të energjisë në Kosovë, Bejtja tha se e gjithë energjia që prodhojmë tani na duhet për vete.