Gazment Bardhi prezantohet si drejtues politik në Elbasan: Më 25 prill sjellim ndryshimin

Gazmend bardhiii 1100x620

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi zhvilloi këtë të shtunë një takim me strukturat e Elbasanit, ku u prezantua në detyrën e re të drejtuesit politik të këtij qarku për zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Pasi numëroi dështimet dhe premtimet e pambajtura të mazhorancës aktuale në Elbasan, numri dy i demokratëve deklaroi se pikërisht nga ky qark do të nisë ndryshimi i madh i 25 prillit.

“Elbasani është ndoshta shembulli më emblematik që dëshmon se çfarë ka bërë ‘rilindja’ në 8 vite. Dy botë të ndryshme që shtrihen në mënyrë paralele. Ushtruesit e pushtetit, me privilegjet e pasuritë e tyre në simbiozë të plotë me grupet kriminale në një anë. Dhe njerëzit, qytetarët dhe banorët, të harruar e braktisur, në anën tjetër.

Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka. Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues.

Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Jam i bindur se qarku Elbasanit do të jetë në vijën e parë të ndryshimit”, tha mes të tjerash Gazmend Bardhi.