Ndalimi i sirianëve në Vlorë, arrestohet pronari i një hoteli në Tiranë

Untitled collage 16 1100x620

Burime për A2 bënë me dije mbrëmjen e së shtunës se pronari i një hoteli në Tiranë është arrestuar në orët e fundit, pasi kishte strehuar për disa kohë klandestinët sirianë që u shpëtuan mbrëmjen e djeshme në zonën e Vlorës, ndërsa po tentonin të udhëtonin me gomone drejt Italisë, por që u penguan nga moti i keq.

Personi i arrestuar quhet Fatos Dusha, ndërkohë që vijon puna dhe për identifikimin e trafikantëve, të cilët arritën të shpëtonin një ditë më parë duke përfituar  dhe nga errësira.

Mëngjesin e së dielës, Policia njoftoi se 63-vjeçari  ka strehuar në hotelin e tij 9 prej emigrantëve që u kapën, ndërsa po iknin me gomone drejt Italisë.

“Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, emigrantët e evakuuar gjatë operacionit të djeshëm.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e hotelit janë gjetur të strehuar dhe 9 klandestinë të tjerë”, thuhet në njoftim.

Klandestinët sirianë që u shpëtuan tashmë janë larguar nga Vlora dhe do të akomodohen në Durrës. Personat që kanë qenë të shtruar në spitalin e Vlorës kanë dalë pas mjekimit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Rreth 50 klandestinë nga Siria qëndruan mbi 3 orë në përballje në det të hapur me motin e keq. Mjeti lundrues mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta.

Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojës Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanza.