Fushatë me shiun. Rama dhe Basha përplasen në distancë, por nuk raportojnë në KQZ

Prej disa ditësh, zona e Nënshkodrës është duke vuajtur pasojat e kapriçove të motit. Shirat e dendur u kthyen në kryefjalë të përplasjes ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, ku shumica u mburr me punën e bërë në shmangien e përmbytjeve, ndërsa pakica ngriti akuza se qeveria nuk ka marrë masat e duhura dhe tokat janë nën ujë.

“Këtu, në këtë zonë, simboli i katastrofës është 2010. Tani ia vlen që edhe për njerëzit të bëhet një krahasim nga pikëpamja e reshjeve, e prurjeve dhe situatës me 2010”, tha Rama.

Ndërsa Basha u shpreh: “Situata po precipiton me shpejtësi, ndaj i takon qeverisë të lërë mënjanë çdo lloj propagande dhe t’i shtrohet punës”. 

Madje, dy pretendentët për të fituar në 25 prill, për pak sa nuk rastisën në të njëjtin vend e në të njëjtën orë.

Por, a morën leje Basha dhe Rama për të zhvilluar këto aktivite? Kjo pyetje mund të dukej absurde deri para pak ditësh, por palët kanë rënë dakord që çdo aktivitet ta raportojnë pranë KQZ-së, në mënyrë që pushteti mos të përdoret për fushatë zgjedhore. Kryeministri nuk i ka njoftuar këto aktivitete tek faqja e ndërlidhjes në KQZ e të njëjtën gjë nuk ka bërë as Partia Demokratike.

Voltana Ademi është e vetmja e zgjedhur nga radhët e demokratëve e cila ushtron pushtetin në Bashkinë Shkodër dhe, sipas aktit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është e detyruar të raportojë aktivitetet e saj deri në 25 prill, aq më tepër kur në këtë aktivitet ka në krah të saj kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.