Gjendet vendndodhja e avionit të rrëzuar indonezian me 62 persona në bord

Autoritetet indoneziane deklaruan se kanë gjetur vendin ku besojnë se një avion pasagjerësh Boeing 737 u rrëzua në det menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti Xhakarta, të shtunën.

Avioni “Sriwijaya Air” me 62 persona në bord u zhduk nga radari katër minuta pasi u nis në udhëtimin e tij për në Pontianak në provincën perëndimore Kalimantan.

Të dielën u gjurmuan sinjalet që mendohet të jenë nga regjistruesi i fluturimit të avionit. Më shumë se 10 anije me zhytës nga marina janë në vendin e ngjarjes.

“Ne kemi zbuluar sinjale në dy pika, kjo mund të jetë kutia e zezë,” tha shefi i agjencisë së kërkimit dhe shpëtimit në Indonezi, Bagus Puruhito.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu objekte që besojnë se janë mbetje të avionit, duke përfshirë një rrotë.

Një zëdhënës i policisë së Xhakarta, Yusri Yunus, tha se dy çanta ishin marrë nga agjencia e kërkimit dhe shpëtimit.

“Çanta e parë përmbante sendet e pasagjerëve, një çantë tjetër përmbante mbnetje njerëzore”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar: “Ne jemi ende duke identifikuar këto gjetje.”

Përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit u pezulluan brenda natës, por rifilluan herët këtë të dielë. Katër avionë  janë vënë në gatishmëri për të ndihmuar në kërkime.

Fokusi i kërkimit është midis ishujve Laki dhe Lancang, të njohur si zinxhiri Thousand Islands, rreth 20 milje në veriperëndim të Xhakartës. Rreth 28 anije, pesë helikopterë dhe dy avionë janë vendosur në një përpjekje të përbashkët midis Marinës Indoneziane, Policisë, Rojës Bregdetare dhe Ministrisë së Transportit.

Të Shtunën, Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Shpëtimit e Indonezisë (Basarnas) tha se kishte gjetur disa copëza mbeturinash që besohet se ishin nga avioni i zhdukur, por moti i keq dhe shikimi i dobët kishin vështirësuar kërkimet brenda natës.

Avioni i pasagjerëve Sriëijaya Air u nis të shtunën në aeroportin e Xhakartaa në 14:36 ​​me orën lokale.

Katër minuta më vonë, në orën 14:40, u regjistrua kontakti i fundit me avionin, me shenjën e thirrjes SJY182, sipas Ministrisë së Transportit.

Koha e zakonshme e fluturimit për në Pontianak, në perëndim të ishullit Borneo, është 90 minuta.

Aeroplani nuk dërgoi asnjë sinjal shqetësimi, sipas kreut të agjencisë kombëtare të kërkimit dhe shpëtimit “Air Marshal Bagus Puruhito”.

Avioni mendohet të ketë rënë më shumë se 3,000m në më pak se një minutë, sipas faqes së internetit të ndjekjes së fluturimit Flightradar24.com., ndërsa dëshmitarët thanë se ata kishin parë dhe dëgjuar një shpërthim.