Ministri i Jashtëm grek Dendias: Çështja e detit në Hagë, pas zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri

dendias 1100x620

“Marrëveshja me Shqipërinë për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në lidhje me caktimin e zonave detare, do të jetë gati pas zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri”. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, në një intervistë për mediat greke.

Sa i përket zgjerimit të ujërave territoriale përtej Jonit, Dendias tha se kjo do të bëhet kur të gjykohet e përshtatshme.

Ai tha se projektligji do të votohet në mbledhjen e parë të Parlamentit, duke shtuar se Greqia ka bërë zgjerime gjithmonë me mjete paqësore dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

“Projektligji përkatës do të futet në Parlament shumë shpejt. Dhe do të votohet menjëherë. Ky zgjerim është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit tonë!”, shtoi ai.

Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm grek vjen dy ditë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Athinë.

Ai njoftoi se ministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, do të vizitojë Athinën javën e ardhshme.

“Gjatë kësaj vizite, do të nënshkruhen tri memorandume bashkëpunimi, të cilat tregojnë angazhimin tonë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në të njëjtën kohë, proceset kanë filluar për të forcuar më tej praninë tonë në Kosovë”.