Në pritje të vaksinës/ Mjekët të parët, optimistë dhe dyshues për efektet

Pas dy javësh, vaksinimi kundër Covid-19 nis nga mjekët dhe infermierët. Ministria e Shëndetësisë po përgatit listën për 5 mijë dozat e para të vaskinës së Pfizerit, të cilat do të kryhen në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare.

Mikrobiologu Andi Koraqi tregon se vaksina e Pfizerit e para që pritet të mbërrijë në vendin tonë, është e një teknologjie të re. Ajo injekton një fragment të ARN së virusit dhe jo virusin e dobësuar si në vaksinat e tjera. Për këtë arsye, kjo vaksinë ka shtuar radhët e skeptikëve, edhe pse Koraqi thotë se aplikimi i saj nuk ndikon në materialin gjenetik të njeriut.

“Vaksina në vetvete përmban një ARN mesazhere që është e futur në një kapsulë vaji, ndaj kërkon një temperaturë ruajtje -80 gradë që të mos shkrijë. ARN nuk ndërhyn në gjenomin në qelizën e trupit. Ajo prodhon një proteinë të ngjashme me ato të virusit dhe me prodhimin e tyre ajo zhduket”, tha Koraqi.

Por, a do ta kryejë ai vetë vaksinën Pfizer, tashmë që e ka kaluar koronavirusin? Mikrobiologu nuk fsheh paqartësinë dhe mungesën e protokollit në lidhje me sjelljen e kësaj vaksine ndaj atyre që kanë antitrupa: “Nuk e dimë çfarë ndodh me antitrupat që kanë personat që e kanë kaluar dhe me antigenin që është në organizëm. Megjithatë, deri tani është lënë në dëshirën e tyre për ta kryer ose jo”.

Më optimist është Skënder Brataj, edhe ai i imunizuar në fillimet e pandemisë ndaj koronavirusit: “Ky do të jetë viti i vaksinimit. Nuk mund të presim 3 vjet për të pritur rezultatet afatgjata. Patjetër që dua ta bëj se kam qenë ndër të parët që e kam kaluar”. 

Fushata e vaksinimit kundër Covid-19 do të nisë nga stafet e mjekëve dhe infermierëve. Muaj më vonë do të vijojë me efektivët e policisë dhe personat e moshës së tretë. Sipas ekspertëve, vaksina nuk aplikohet nën moshën 18 vjeç, pasi ka treguar që fëmijët nuk preken ose e kalojnë shumë lehtë sëmundjen.