Një President i përfshirë në trafik droge

juan orlando hernandez 1100x620

Prokurorët në Nju-Jork kanë hedhur akuza të reja mbi Presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernández, i cili mendohet se është përfshirë në trafikun e drogës.

Sipas tyre, Kreu i Shtetit ka marrë miliona dollarë nga trafikantët që t’i ndihmonte për eksportimin e tonelatave me kokainë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Geovanny Fuentes Ramirez, një trafikant nga Hondurasi, i cili drejtonte një laborator kokaine dhe aktualisht ndodhet i burgosur në Nju-Jork, ka zbuluar se Presidenti i pati thënë se donte t’ia ngjishte mirë në hundë kokainën të gjithë gringove.

Presidenti ka hedhur poshtë çdo akuzë që e lidh me trafikantët, pavarësisht se në vitin 2019 një nga vëllezërit e tij, Juan Antonio Hernández, u dënua me burg nga gjykata. Në ato seanca, u tha se vetë Presidenti ka marrë 1 milion dollarë nga meksikani famëkeq Joaquin “El Chapo” Guzman.

Por, Juan Orlando Hernández u kundërpërgjigj duke thënë se trafikantët po kërkonin të hakmerreshin ndaj tij për faktin se ai po i luftonte ashpër.